Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, zhvilloi në fund të javës së kaluar një konferencë për media, ku u fokusua në çështjet që lidhen me çështjen e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe procesin e reformës në institucionet e drejtësisë, etj.

Sa i përket çështjes për negociatat e mundshme mbi kufizimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe idesë së kryeministrit Edi Rama, për mundësinë e përfshirjes në zgjidhje të një pale të tretë apo të gjykatave ndërkombëtare, Meta tha se çështja në fjalë është mjaft sensitive prej të paktën 12 vitesh midis Shqipërisë dhe Greqisë, dhe sipas tij është një problem mjaft i ndjeshëm edhe brenda shtetit shqiptar.

-“Presidenti ka qenë gjithmonë koherent dhe tepër bashkëpunues me qeverinë tonë, me institucionet tona pasi ne përfaqësojmë një palë. Presidenti në mënyrë më bashkëpunuese, i ka plotësuar të gjitha detyrimet e tij dhe ka qenë gjithnjë shumë bashkëpunues me qeverinë. Presidenti asnjëherë nuk ka luajtur dhe nuk luan me një çështje të tillë apo me çdo lloj çështje që ka të bëjë me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Presidenti ka një qëndrim dhe vetëm një, të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë të tillë që kjo çështje të jetë një burim mirëbesimi midis dy vendeve dhe dy popujve tanë përgjithmonë, jo të minojë marrëdhëniet përmes qëndrimeve të pasinqerta. Për mua miqësia me Greqinë në veçanti, por edhe me të gjithë fqinjët e tjerë është mjaft e rëndësishme dhe të mbrohet, të zhvillohet edhe të forcohet”, theksoi presidenti i Shqipërisë.

Pyetjes për çështjen e riatdhesimit të fëmijëve shqiptarë që gjendjen aktualisht në kampe në Siri dhe në cilën fazë janë përpjekjet për t’i riatdhesuar, Meta iu përgjigj:

-“Mendoj që kjo është një çështje mjaft sensitive e cila për shkak të vetë specifikave që ka nuk mund të trajtohet në publik. Ky është një shqetësim i madh, ka qenë një shqetësim i madh për mua edhe më përpara. Shpresojmë që të gjithëve t’u rikthehen të afërmit e tyre, por kuptohet që kjo është një punë që nuk mund të shpjegohet në publik.”

Ndërkohë, në kryeqytetin shqiptar në fillim të javës së kaluar është organizuar një protestë sensibilizuese me thirrjen që të riatdhesohen fëmijët shqiptarë që gjenden në kampet në Siri.

Me sloganin “Të harruar në Siri: Ktheni fëmijët tanë në shtëpi”, familjarët e fëmijëve shqiptarë që janë aktualisht në kampe në Siri iu kanë bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që t’i riatdhesojnë.

Sipas disa prej organizatorëve të protestës, që u organizua para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, me dhjetëra fëmijë aktualisht janë në kampet në Siri.

Me pankartat me mbishkrimet “Asnjë fëmijë nuk e meriton këtë”, “Edhe sa duhet të presim”, familjarët dhe pjesëmarrës të tjerë kanë përsëritur thirrjet e tyre për institucionet e Shqipërisë që të vazhdojnë procedurat për të sjellë fëmijët në Shqipëri.

Në lidhje me procesin dhe procedurat për ecurinë e reformës në institucionet e drejtësisë, Meta theksoi se ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim ecurinë e punës së organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

Kjo situatë problematike nuk daton sot, por ka më shumë se 3 vite që me bllokimin e qëllimshëm të KED-ë në vitin 2017 dhe 2018, e më pas keqfunksionimin e saj më 2019-n.

-“Kjo situatë problematike nuk daton sot, por ka më shumë se 3 vite që me bllokimin e qëllimshëm të KED-së (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) në vitin 2017 dhe 2018, e më pas keqfunksionimin e saj më 2019. Mosfunksionimi i KED 2017 dhe KED 2018, dhe problematika që shfaqi KED 2019 janë analizuar dhe trajtuar tashmë në opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, së bashku me personat përgjegjës dhe pasojat që ato kanë sjellë për sistemin e drejtësisë”, u shpreh Presidenti Meta, duke cituar gjithashtu se: “Të gjitha këto shqetësime që unë po i bëj përsëri publike, kanë të bëjnë vetëm me nevojën imediate për bashkëpunim të sinqertë dhe vullnet mes institucioneve, që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë të jenë funksionale sa më shpejt në respekt edhe të Kushtetutës, edhe të vetë ligjit”.

-Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që janë caktuar të mbahen më 25 prill të vitit 2021 Meta deklaroi se: “mazhoranca e ka detyrimin të krijojë një ambient të barabartë e të lirë për t’u shprehur për të gjithë aktorët politikë, ashtu sikurse ka edhe një përgjegjësi të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç e kërkojnë kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re