Presidenti Ilir Meta këtë të hënë ka zhvilluar një takim me një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella.

 

Kreu i Shtetit në këtë takim ka falenderuar Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje dhe angazhim edhe në të ardhmen në ruajtjen dhe forcimin e vlerave që Organizata dhe shtetet pjesëmarrëse mishërojnë.

 

Presidenti Meta në lidhje me situatën politike në vend ka theksuar me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë.

 

Në lidhje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe rajonit, Presidenti vlerësoi angazhimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

 

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020. Në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re