Në orën 9 te mëngjesit presidenti i republikës Ilir Meta ka thirrur në takim liderin e opozitës Lulzim Basha së bashku me krerët e partive te koalicionit opozitar. Takimi është zhvilluar në ambientet e vilës presidenciale dhe ka zgjatur rreth një orë.
Asnjë prej protagonistëve nuk foli për median, por ajo që ra në sy në njoftimin e presidencës për takimin ishte se pikërisht në momentin kur konflikti politik duket më i ashpër se kurrë, të paktën në pamje të parë, biseda është fokusuar tek një platformë për integrimin e vendit.
Dhe pavarësisht gjuhës së ashpër të presidentit të republikës pas shembjes së teatrit, zyra e shtypit pranë kryetarit të shtetit sqaron se propozuesi për këtë platformë është Ilir Meta, i cili i ka kërkuar edhe opozitës të kthehet në tryezën e dialogut me socialistët për reformën zgjedhore.
INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TE REPUBLIKES
Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ndërsa lideri i opozitës Lulzim Basha në një postim në rrjetin social twitter ka nënvizuar një tjetër element të takimit, zgjidhjen e krizës politike në vend.
LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pikërisht në momentin kur dukej se shembja e teatrit kombëtar ndezi një konflikt të ashpër mes opozitës, presidentit dhe mazhorancës; mesazhet e liderëve politik janë fokusuar tek kriza politike e reforma zgjedhore
