Pas mesazheve të forta për krizën politike dhe tërmetin apokaliptik që mund të godasë Ballkanin, Presidenti Ilir Meta ka nisur pushimet.

Kreu i Shtetit Shqiptar e ka nisur zbavitjen me Prevallën, i njohur si një destinacion popullor për alpinistët dhe skiatorët, që ndodhet në malet e Sharrit në jug të Kosovës.

“Rikthim në Përrallë (Prevallë)!”, shkruan Meta, ndërsa publikon në “Facebook” dhe një foto nga mali.

Një ditë më parë, Presidenti Meta replikoi me kryeministrin Edi Rama, pasi ky i fundit tha se ai është në situatë të rëndë dhe se duhet t’i kërkojë ndihmë.

Në përgjigjen e tij, Meta theksoi se nuk ka asnjë problem shëndetësor, madje ndodhet në formë të mirë dhe se do të ngjisë disa maja këtë gusht, që do të finalizohen me malin më të lartë në Shqipëri, Korabin.

Me ironi, Meta tha se do të dëshironte që t’i bashkohej edhe Rama në ngjitjen e Korabit, teksa e “thumboi” se në Tropojë e ka më të vështirë ngjitjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re