Presidenti Ilir Meta ka ndarë në profilin e tij të “Facebook” një  kujtim të para 35 vitesh, të cilin e konideroi një periudhë shumë të bukur të jetës së tij.

Ai ka postuar një foto, ku pozon krah ish-trajnerit të tij të peshëngritjes, Ferid Berberi.  Meta shkruan se ishte ky i fundit që e tërhoqi dhe e edukoi me shumë pasion për vlerat më të mira sportive.

Ndërsa e falenderon, kreu i shtetit shkruan se falë atij është stërvitur për të qenë gjithmonë në “superformë”.

“I lumtur sot të kthehesha 35 vite pas në kohë për të ndarë kujtime të jashtëzakonshme për një periudhë shumë të bukur të jetës sime, me Profesorin tim të dashur, Ferid Berberi, ish-trajnerin e madh të peshëngritjes së Ekipit Kombëtar e Dinamos dhe të kampionëve Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni, Ardian Kokonozi, Muharrem Berisha e shumë të tjerë. Pas arratisjes së Aleksandër Kondos, ishte Profesor Berberi i cili më tërhoqi në magjinë e peshëngritjes dhe më edukoi me shumë pasion e dashuri me vlerat më të mira sportive. E falendëroj veçanërisht për këtë foto të bukur që më solli sot gjatë stërvitjes me dy miqtë e mi, dinamovitin Bashkim Mullai dhe Ardian Kokonozi, apo siç e quanim të gjithë Poku, Kampion i Ballkanit. Përjetë mirënjohës Profesorit të dashur që me shumë profesionalizëm, pasion e përkushtim përgatiti denjësisht shumë kampionë të peshëngritjes shqiptare, duke mbetur një shembull i çmuar dhe përherë frymëzues i gjeneratave të tëra sportistësh në rrugën e suksesit dhe të fitoreve. Falë tij edhe unë jam stërvitur për të qenë përherë në superformë për të ngritur vetëm pesha të rënda”, shkruan Presidenti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re