Presidenti Meta ka bërë sot një paralelizëm të fortë mes ndryshimeve të Kushtetutës dhe tërmetit të goditi vendin në 26 nëntor. I ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH, Meta tha ndër të tjera se “duhet të kuptojmë që themelet e Kushtetutës, për fat të keq, do të më duhet të bëj paralelizëm me tërmetin, janë goditur po aq fort”.

Zoti President, ju jeni shprehur në deklarata të mëparshme, që Kushtetuta është vija e kuqe. Kur flisni për Kushtetutën, kujt Kushtetute i referoheni, asaj të 1998-s, asaj që u ndryshua në 2008-n, apo Kushtetutës tërësisht të tjetërsuar në 2016-s, nga e cila ka mbetur vetëm pjesa e të drejtave të njeriut e njëjtë?
Së pari duhet të kuptojmë që themelet e Kushtetutës, për fat të keq, do të më duhet të bëj paralelizëm me tërmetin, janë goditur po aq fort.
Ne bëmë një Kushtetutë të jashtëzakonshme në 1998-n. Nuk ka një vend tjetër mendoj unë në rrethanat tona që të kishte një Kushtetutë më të mirë dhe kjo erdhi për disa arsye. E para, sepse zakonisht kushtetutat e mira vijnë pas fatkeqësive të mëdha dhe ne na ndodhi ’97, kur vendi rrëshqiti drejt krizës, konfliktit civil dhe zhbërjes së shtetit e institucioneve. Kështu që ajo fatkeqësi që ndodhi, shërbeu për të ndërtuar një Kushtetutë që parandalon shkarjen e shtetit dhe të institucioneve në një degradim të tillë.

U bë një punë e shkëlqyer nga i ndjeri Sabri Godo, një politikan që përfaqësonte opozitën në atë kohë, nga zoti Imami, këta ishin bashkëkryetarë, nga ekspertë shumë të mirë vendas, nga ekspertët më të mirë të Europës, Komisionit të Venecias.

Edhe mazhoranca e kësaj kohe, (unë kam qenë në atë periudhë Zëvendëskryeministër), kur është bërë kjo Kushtetutë , kishte vullnetin që të jepte një Kushtetutë sa më demokratike.

Dhe kjo gjë ndodhi dhe u vendos në fund fare me referendum, që ishte një arritje e jashtëzakonshme.
Tani, parimet mbi të cilat ndërtohet Kushtetuta jonë, të cilat janë edhe kolonat kryesore të saj, garantimi i të drejtave kushtetuese, të gjitha këto nuk kanë ndryshuar nga 1998-ta e sot, janë të njëjtat.

Ajo që ka ndryshuar dhe që është dëmtuar është një parim serioz i kontrollit dhe i balancës, përmes ndërhyrjeve të papranueshme që ndodhën në prill të 2008-s, ku drejtuesit e dy partive kryesore, për fat të keq me bekimin e disa ambasadorëve, për të kaluar një krizë momentale apo për të plotësuar disa interesa të ngushta partiake, bënë për dy ditë disa ndryshime jashtë çdo procedure dhe rregulli, të cilat vinin në kundërshtim me disa nga parimet kryesore të Kushtetutës së parë dhe të mekanizmave që ajo kishte fiksuar për të mbajtur sa më të qëndrueshëm kontrollin dhe balancën e pushteteve në Shqipëri.

Dhe kjo shkoi në favor të forcimit të pozicionit të kryeministri por jo vetëm kaq. Ajo që ishte më e rënda dhe që ne po e pësojmë seriozisht dhe e ndiejnë qytetarët që kanë dalë jashtë loje dhe janë të papërfaqësuar është sidomos te listat e mbyllura të deputetëve.

Sepse ne kemi pasur një demokraci shumë aktive, më të zëshme, më të larmishme dhe brenda partive dhe në shoqëri, për arsye sepse mendoj deputetët zgjidheshin një pjesë e madhe nga populli më përpara. Dhe kjo i detyronte gjithmonë partitë, të vinin njerëz të cilët kishin ndikim, influencë por edhe të cilët do ishin të detyruar të mbronin interesat e zonave të tyre, të qytetarëve të tyre pasi do shkonin të votoheshin aty.

Ndërsa me lista të mbyllura nga 2008-ta deri tani e kemi të vështirë të flasim për një demokraci të mirëfilltë parlamentare. E shohim sesi deputetët në rresht ngrenë kartonin për të shkelur çdo nen të Kushtetutës edhe në mënyrën më flagrante siç ka ndodhur. Shohim që politika është përqendruar vetëm në disa persona të cilët kushtëzojnë jetën e gjithë të tjerëve, deputetëve apo kandidatëve të mundshëm në për lista apo kryetarëve të bashkive dhe në këtë mënyrë shohim që qytetarët nuk kanë ku të ankohen.

Zoti Meta ju gjatë gjithë këtyre viteve keni qenë në politikë. Pse pikërisht tani e ngrini shqetësimin e referendumit?
Kjo nuk është e vërtetë. Unë e kam ngritur në 2008-n madje kur janë bërë këto ndryshime, kur me disa kolegë të tjerë deputetë të forcave të ndryshme jashtë PD-së dhe jashtë PS-së kemi bërë dhe një grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë. Ka pasur dhe një forum për mbrojtjen e Kushtetutës në atë kohë, ku merrnin pjesë dhe shumë aktivistë të shoqërisë civile si i ndjeri Andrea Stefani, analisti i njohur Artur Zheji, Sazan Guri e shumë personalitete të tjera.

Në vijimësi unë kam qenë gjithmonë për rishikimin dhe kam thënë gjithmonë që asnjëherë nuk do pajtohem me ndryshimet që u bënë në prill të 2008 në Kushtetutë sepse për mendimin tim ishte një sjellje tërësisht e padenjë për klasën politike, pasi një Kushtetutë që e voton populli ti nuk mund ta ndryshosh për dy ditë e për dy netë. Sepse që në këtë moment themelet e këtij shteti ligjor i ke vënë në diskutim dhe siç ndryshohet për dy ditë, mund ta ndryshosh nesër për dy orë. E vetmja rrugë për ndryshime Kushtetuese do ishte vetëm referendumi sepse vetëm qytetarët mund të vendosnin nëse do të ndryshonin apo jo disa nga ato rregulla mjaft të rëndësishme që ata votuan për të garantuar të drejtat e tyre Kushtetuese dhe parimet kushtetuese me të cilat ndërtohet ky shtet.