Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në nderim të jetës dhe veprës së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90-të, ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari, i cili u nda nga jeta tragjikisht 21 vite më parë pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, vendosi sot një kurorë me lule dhe bëri homazhe në Memorialin kushtuar “Heroit të Demokracisë”.

 

Meta në një prononcim për mediat, e cilësoi 12 dhejtorin e 1990 si ditën më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, nga ku theksoi se pluralizmi politik dhe zgjdhjet e lira e të ndershme duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim.

 

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik në Shqipëri. Sepse 12 dhjetori 1990 është dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që ndan dy epoka dhe e rivendosi vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kuptohet, të pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik dhe që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim.” – u shpreh Presidenti i Republikës.