Në kuadër të nismës “U’ jam Arbëresh”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë pune në rajonet e banuara nga arbëreshët në Kalabri dhe Pulja.

 

Me ftesë të autoriteteve lokale, Kreu i Shtetit vizitoi fillimisht Bashkinë e Plataçit (Pllatën), ku pati një takim të ngrohtë e të përzemërt me përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh, dhe mandej mori pjesë dhe përshëndeti konferencën “Antonio Gramshi – I linduri arbëresh”, të organizuar nga pushteti vendor në bashkëpunim me Institutin “MeMe” (Mezzogiorno- Mediterraneo).

 

Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin Kryetari i Bashkisë së Plataçit, Francesco Tursi, Kryetari i Bashkisë së Spezzano Albanese, Ferdinando Nociti, drejtuesi i Shoqatës “Jeronim De Rada” në Shën Mitër Korona, Giovanni Mazzei, si dhe autori italian me origjinë arbëreshe Mario Brunnetti, Presidenti Meta në fjalën e tij u shpreh I lumtur për vizitën e tij ndërsa shprehu falenderime për të gjithë komunitetitn.

 

“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Plataçi, në prag edhe të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, për të nderuar nga këtu edhe të gjithë ata italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste nuk kërkuan thjesht të bënin paqe me fatin e tyre, por u bashkuan në një nga batalionet më të lavdishme, që bëri një emër të madh në luftën kundër nazizmit në vendin tonë, në batalionin “Antonio Gramshi”, duke sakrifikuar edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë. Me shumë emocion takova sot dhjetra banorë të Plataçit, të cilët dua t’i falenderoj së bashku me të gjithë komunitetin arbëresh këtu, për përpjekjet e mëdha që bëjnë për të ruajtur traditat, ritet fetare, këngët dhe gjuhën e paraardhësve të tyre.”

 

Një falënderim të veçantë Meta e shprehu edhe për Institutin “Mezzogiorno Meditteranio”, që organizoi takimin.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re