Gjykata e Apelit në Shkup e ka liruar nga paraburgimi ish-prokuroren speciale Katica Janeva, e akuzuar për shpërdorim të detyrës në rastin e njohur si “Reket”, ku aludohej se ajo ka përfituar 1.5 milion euro nga biznesmen, Orce Kamçev.

Vendimi nga gjykata është marrë pas një garancie pasurore të dhënë nga Janeva, se nuk do të ikë nga proceset gjyqësore, por edhe për shkak të rekomandimit nga mjekët për gjendjen shëndetësore. Kujtojmë se asaj i ndërroi jetë e ëma, pikërisht në ditën e arrestimit.

Për rastin “Reket” akuzohen edhe Bojan Jovanovskit i njohur si “Boki 13″, si dhe Zoran Milevski. Ata, duke shfrytëzuar lidhjet me ish-prokuroren speciale kanë marrë paratë nga biznesmeni, duke i premtuar masa lehtësuese në një proces tjetër gjyqësor, që po zhvillohet kundër tij, – raporton REL.

Katica Janeva drejtonte Prokurorinë Speciale e themeluar për të hetuar aferën e përgjimeve, apo shpërdorimet e shumta që janë kryer nga ish- zyrtarët qeveritarë në kohën e Gruevskit.

Bëhet fjalë për të paktën 17 padi, kundër 93 ish-zyrtarëve, të cilat janë ngritur nga 15 shtatori i vitit 2015, kohë kur u themelua kjo prokurori nën  hyqmin e ndërkombëtarëve.

Ditët e fundit, Katica Janeva-n nisi të përmendet dhe presidenti Meta në akuzat e tij, duke e konsideruar dhe si një zgjedhje të gabuar të ndërkombëtarëve.   

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re