Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë një intervistë për televizionin boshnjak ‘O Kanal’.

Duke folur përballë gazetarit boshnjak, presidenti Meta është shprehur se ‘nuk është koha për të nxjerrë në ankand të ardhmen tonë.

Jemi para testit sa besojmë në vlerat euro-atlantike’.

Intervista e presidentit Ilir Meta:

Gazetari: Bashkimi Evropian i tha ‘jo’ Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke e shtyrë sërish për në pranverë mundësinë e çeljes së negociatave. Mendimi juaj mbi këtë proces? 

Presidenti Meta: Tani është koha që ne të shumëfishojmë përpjekjet tona dhe të konsiderojmë këtë hezitim, mungesën e një vendimi pozitiv, që vjen gjithashtu edhe për shkak të debateve të brendshme dhe reformave brenda Bashkimit Europian, si një test për vendet tona.

Të tregojmë që angazhimi ynë për të zhvilluar vendet tona dhe rajonin bazuar në vlerat europiane është serioz.

Ky është një test që duhet ta kalojmë me sukses dhe duhet gjithashtu të bindim vendet skeptike, që ne jemi vende serioze, ne jemi plotësisht të motivuar dhe mbetemi të angazhuar për të ndërtuar të ardhmen europiane për vendet tona dhe shoqëritë tona dhe që ne meritojmë mbështetje më të madhe në të ardhmen.

Nuk është momenti dhe koha për të treguar se ne nuk jemi seriozë apo që po kërkojmë opsione të tjera, sepse duke bërë kështu ne do t’u shtojmë dyshimet njerëzve brenda BE-së, të cilët janë skeptikë për zgjerimin e Europës në të ardhmen. Gjithashtu, do të dobësonim të gjithë mbështetësit tanë, që kemi brenda BE-së dhe shumica e vendeve dhe forcave brenda BE-së janë pro zgjerimit të unionit dhe përfshirjes së gjithë vendeve të Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pra, duhet të vazhdojmë me reformat dhe të tregojmë që ne po i bëjmë këto reforma në radhë të parë për qytetarët tanë dhe që nuk mund ta braktisim projektin e BE-së, sepse për ne, vendet në këtë rajon, ky është gjithashtu një projekt thelbësor për të garantuar në terma afatgjatë paqe, stabilitet, bashkëjetesë, respekt për të gjitha minoritetet në këtë rajon, në mënyrë që mos të rikthehemi në periudhën e errët të konflikteve, që kanë shkatërruar njerëzit tanë dhe vendet tona në të kaluarën.

Gazetari: Zoti President, ka tashmë më shumë se 20 vjet që Shqipëria pret për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimi Europian. Sa mendoni që do ju duhet të prisni akoma?

Presidenti Meta: Ne prisnim që kjo të ndodhte që dje, por gjithsesi ne duhet të vazhdojmë me këto reforma, ne duhet të punojmë të gjithë bashkë, jo vetëm me Maqedoninë e Veriut, por dhe me vendet e tjera të Ballkanit Lindor, të gjithë partnerët tanë për të përmirësuar ekonominë e tyre, për të përmirësuar sundimin e ligjit, për të pasur një klimë më të mirë biznesi për investitorët e huaj, të luftojmë krimin e organizuar, që është një dhimbje koke për shumë vende në BE, për të dekurajuar kërkesat e azilkërkuesve nga Shqipëria në BE, që është gjithashtu një tjetër dhimbje koke për disa vende, që janë skeptike për zgjerimin e BE-së në rajonin tonë.

Dhe nëse i bëjmë këto jam i sigurt që përpjekjet tona do të jenë të suksesshme, le ta konsiderojmë këtë si një test, për të treguar se sa serioz dhe sa të angazhuar jemi, nëse jemi europianë të vërtetë apo jemi shumë pragmatistë dhe hapim kështu një ankand për të parë se kush do të ofrojë më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur pa marrë në konsideratë faktin se e ardhmja jonë ka nevojë për themele solide dhe vetëm vlerat europiane janë themelet e duhura në terma afatgjatë e me prosperitet për vendin tonë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re