Afera e inceneratorëve vetëm sa është gërvishtur për presidentin Meta, i cili premton nxjerrjen në dritë të fakteve të reja për zbardhjen e plotë të saj.

 

Kreu i shtetit paralajmëron se do të bëjë publike edhe afera të tjera, me qëllim përshkallëzimin e luftës ndaj korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik.

 

Ky reagim i fortë i Metës erdhi pas një shkrimi të një gazete të njohur austriake, sipas të cilës, presidenti ka paguar 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump.

 

Ky artikull u konsiderua nga Meta si shpifje, për të cilën do t’i drejtohet drejtësisë austriake.

 

REAGIMI I PLOTE

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është njohur sot me një shkrim pa autor të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh.Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjesuese, që në prill të vitit 2018.Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake.Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore.Në këtë mënyrë, shpifësit do të marrin përgjigjen e merituar përballë drejtësisë.Presidenti i Republikës garanton se beteja e Tij për mbrojtjen e interesit publik dhe luftën kundër korrupsionit, jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të përshkallëzohet, që nga zbardhja e plotë e aferës së inceneratorëve (që deri tani vetëm sa është gërvishtur), si dhe të gjitha aferat e tjera.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re