Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ditën e sotme shpalljen e një tjetër ligji të qeverisë. Në njoftimin e Institucionit të Presidentit të Republikës thuhet se “Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar me shpallje Ligjin “Për një shtesë në ligjin Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Presidenti Meta mbështet këtë nismë që synon rritjen e vlerësimit të kontributit të dhënë ndër vite nga sportistët, duke u njohur të drejtën për të përfituar pension të posaçëm”.

Ligji aktual në fuqi parashikon se pension special shtetëror kanë të drejtë të përfitojnë politikanët me rezultate të dallueshme në politikë, njerëzit e shkencës, kulturës, arteve dhe ekonomisë. Gjithashtu kanë të drejtë të përfitojnë personat që kanë vuajtur nga persekutimi politik në rrëgjimin komunist si dhe personat që kanë marrë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta.

Pensionin e posaçëm është shtesë mbi pensionin që iu takon këtyre kategorive nga sigurimet shoqërore ose edhe pension i vetëm nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Shuma e pensionit të posaçëm është 29.000 lekë të rinj në muaj, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë. Ajo është katërfishi i pensionit social, shuma e të cilit është 7.262 lekë të rinj në muaj. Shuma e pensionit të posaçëm plus shumën e pensionit e pleqërisë nuk mund ta kalojë shifrën prej 58.000 lekësh të rinj në muaj ose 580 mijë lejë të vjetra në muaj.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re