Presidenti Meta ka zbardhur takimin që ka pasur sot me ambasadorët e vendeve të BE-së në zyrën e tij, të cilët i ka siguruar që do të dekretojë menjëherë marrëveshjen e 5 Qershorit që u votua dje në Kuvend.

Meta shprehet se u ka thënë qartë ambasadorëve që nuk do të miratojë asnjë prekje dhe ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës, që synon të asgjesojë shtetin e të drejtës dhe të ardhmen europiane të vendit.

Përmes këtij takimi me ambasadorët, Meta lëshon një mesazh edhe në drejtim të mazhorancës së Edi Ramës, që pretendon se javën e ardhshme në Kuvend, së bashku me opozitën parlamentare të kalojnë ndryshimet Kushtetuese, që synojnë hapjen e pjesshme të listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Presidenti Meta shkruan: Kënaqësi të prisja sot Ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar të aktedituar në Tiranë.

I sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.

Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në  frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.

I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjesojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re