Ilir Meta zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, mbi ecurinë e procesit përgatitor të zgjedhjeve të 25 prillit.

Meta nënvizoi se kushti kryesor për negociatat për integrimin në BE është që këto zgjedhje të jetë të lira dhe të ndershme.

“Jam naiv të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo në Suedi për momentin të ardhmen pse jo. Por i kemi të gjitha mundësitë si popull si institucione t’i ngjajmë Kosovës apo Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e fundit.

Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje informimit të zgjedhësve. Është shumë e rëndësishme t’i ndërgjegjësojmë qytetarët, se në një sistem demokratik, fuqia e tij është vetëm vota e tij”, tha ai.

“Qytetari që s’voton nuk ka të drejtë të ankohet për keqqeverisje ose ai që e shet votën dhe e shkëmben ka humbur çdo të drejtë llogaridhënie ndaj  atij tjetri që i ka ofruar paratë. Kemi nevojë për një bashkërendim në të gjitha drejtimet për të garantuar një proces sa më të mirë për vendin që do mund të kapërcente kryekushtin më të madh për çeljen e negociatave”, shtoi Meta.

Presidenti nënvizoi kinse se nuk pret që zgjedhje të lira të vijnë nga drejtësia e re.

“Nuk pres nga drejtësia të vijnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme sepse i dimë të gjithë problemet që ka sistemi i drejtësisë dhe për vetë mënyrën se si është zbatuar Reforma e Drejtësisë.

Nëse do kishte funksionuar Prokuroria dhe SPAK, nuk do kisha marrë iniciativat që kam nisur. Bundestagu ka vite që kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, që ende nuk po hetohen plotësisht.

Nëse nuk erdhi ajo drejtësi që prisnim për dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, unë jam i bindur se nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të vijë dhe do të çlirohet edhe drejtësia nga kjo kapje e jashtëzakonshme dhe trysni politike.

Së bashku të rritim vëmendjen dhe monitorimin e të gjitha institucionet për rastet e veprave penale që prekin zgjedhjet”, tha Meta .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re