Skip to content

Meta pritet nga Presidentja e Estonisë: Në 18 tetor shpresojmë të marrim lajm të mirë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi këtë të martë vizitën zyrtare në Estoni duke u pritur me nderime të veçanta shtetërore nga Presidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid.

 

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas vijuan me takimin e zgjeruar të dy delegacioneve.

 

Presidenti Meta falënderoi homologen e tij estoneze për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vuri në dukje faktin se më 18 tetor Shqipëria shpreson të marrë lajmin e mirë nga Këshilli i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimitnë BE.

 

Gjithashtu, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit për procesin e Integrimit Europian mes dy vendeve tona që u nënshkrua gjatë kësaj vizite, duke e cilësuar atë si një mundësi të shkëlqyer për të mësuar nga përvoja estoneze në këtë fushë.

 

Të dy Presidentët ndanë të njëjtat vlerësime mbi zhvillimet në rajonet respektive, sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe për nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Estonisë.

 

Presidenti Meta e ftoi Presidenten Kaljulaid për një vizitë zyrtare në Shqipëri.