Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë fetare të shugurimit ipeshkvor të Sh.T. Imzot Arjan Dodaj si Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit.

Kreu i shtetit thotë se vlerëson mesazhin e Arqipeshkëvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo se: “Të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e përbashkët, që ka përparësi mbi të mirën e partisë”.

“I nderuar të merrja pjesë sot në meshën dhe ceremoninë e rëndësishme fetare të shugurimit ipeshkvor të Sh.T. Imzot Arjan Dodaj si Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit.

Me urimet e ngrohta për suksese në misionin e Tij hyjnor, të përhapjes së porosive të Zotit dhe mësimeve të shenjta, u bashkohem lutjeve të besimtarëve për një Shqipëri më të drejtë, më të denjë, humane, të dhembshur dhe më vëllazërore!

Vlerësoj mesazhin e mençur të Arqipeshkëvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo se: “Të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e përbashkët, që ka përparësi mbi të mirën e partisë”.

Politika të marrë shembull dhe të verë në jetë porositë e udhëheqësve tanë të ndritur fetarë!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Shugurimi i Imzot Arjan Dodaj bëri sot bashkë politikën shqiptare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re