“Epoka e kultit të individit mbi atë të Zotit dhe integritetit njerëzor solli mënxyra të mëdha për popullin tonë. Falë Zotit, ajo histori kriminale e asaj errësire ka mbaruar njëherë e përgjithmonë”.

Deklarata bëhet nga Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë një fjale përshëndetëse në Konferencën Rajonale mbi “Roli e Fesë në Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”.

Meta tha se “historia nuk na shërben vetëm për kujtesë, ajo na shërben ne dhe brezave që vijnë për të mos lejuar më kurrë një Shqipëri totalitare, ateiste, ku vritet liria dhe shuhet shpresa”.

Kreu i shtetit, shtoi se udhëheqësit e bashkësive fetare në vendin tonë, janë shembull për shoqërinë dhe klasën politike për sjelljen reflektuese, dialogun, bashkëpunimin, si rruga e vetme në zgjidhjen e konflikteve, qofshin ato shoqërore apo politike.

“Edhe kohët e fundit, drejtuesit e bashkësive të ndryshme fetare si edhe Këshilli Ndërfetar Shqiptar kanë bërë thirrje të qarta e plot përulësi për zgjidhje të situatës politike në vend, për reflektim, dialog e bashkëpunim, duke shpallur edhe ditë agjërimi dhe lutjeje për zgjidhje paqësore të konfliktit politik”, thekson Presidenti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re