Pas humbjes së betejës më 14 Maj, kreu i Partisë së Lirisë duket se do të nisë një tjetër betejë.

 

Ilir Meta përmes një shkrimi në rrjete sociale bën me dije se ka nisur punën për dokumentimin e asaj që i referohet si shkatërrim i procesit zgjedhor.

 

Fakte të reja e tronditëse do të dokumentohet sipas Metës, si provë se si mafia për llogari të Ramës ka tjetërsuar vullnetin qytetarë.

 

“Çdo orë, çdo minutë, fakte të reja tronditëse vijnë dhe dokumentohen sesi mafia nën komandën e Edi Ramës shkatërroi procesin zgjedhor, standardet e të cilit ishin zeruar nga vetë Edi Rama përpara se të niste ky proces.

 

I gjithë ky shkatërrim i procesit zgjedhor, i tjetërsimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm po dokumentohet, por njëkohësisht do të fillojë dhe procesi i kontestimit ligjor”, shkruan ai.

 

Humbja e thellë përballë Partisë Socialiste, sipas Berishës e Metës i atribuohet vjedhjes dhe manipulimit të votës nga mazhoranca.

 

Asnjëri nga dy drejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk ka marrë përgjegjësi vetjake lidhur me humbjen historike edhe në zonat që prej dekadash ishin bastione të djathta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re