Presidenti Ilir Meta shprehet se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë duke iu referuar raporteve tës organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.

Në një mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Presidenti jep një tablo të zymtë të situatës së mediave në vend teksa shprehet se liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut.

Regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm, sipas Ilir Metës.

MESAZHI I PLOTË

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.

Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.

Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.

Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, censura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.

Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.

Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.

Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re