Presidenti Ilir Meta i ka shprehur shqetësimin Ambasadores së të Francës në vendin tonë që Shqipëri është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, u prish nga mazhoranca.

Meta pati një takim me Ambasadoren, Sh.S.Znj. Elisabeth Barsacq, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.

“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe politike me Francën, – tregoi Presidenti në rrjetet sociale – dhe e falënderova për mbështetjen e pakursyer e të sinqertë të dhënë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Theksova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një mundësi historike për përparimin drejt Bashkimit Europian.

Vura në dukje se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, që do duhet t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u prish në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Inkurajova rritjen e investimeve franceze në Shqipëri dhe, në këtë kuadër, shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në vendin tonë,” ka përfunduar Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re