Presidenti it, Ilir Meta, ka pritur  këtë të enjte delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili ndodhet në Shqipëri për mbledhjen e fakteve mbi situatën e sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe demokracisë në vend.

 

Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit shkruan se gjatë takimit vuri në dukje fatkeqësisht shkallët që Shqipëria vijon të zbresë në të gjitha raportet ndërkombëtare për liritë ekonomike, krimin, korrupsionin dhe lirinë e medias.

 

“Kënaqësi të takohesha me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me z. Joseph O’Reilly dhe z. Asim Mollazada, që po vizitojnë Shqipërinë për mbledhjen e fakteve mbi situatën në Shqipëri.

Mirëprita angazhimin e Asamblesë Parlamentare dhe strukturave të tjera të Këshillit të Europës, përfshirë Komisionin e Venecias, për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së medias në Shqipëri.

Gjatë takimit theksova rëndësinë e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të ngritura me shqetësim nga Parlamenti Europian, në rezolutën e tij të 19 majit.

Vura në dukje se fatkeqësisht Shqipëria vijon të zbresë shkallët e renditjes në të gjitha raportet ndërkombëtare që analizojnë nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së medias, lirive politike dhe ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Njëkohësisht, theksova rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në të ardhmen me Këshillin e Europës dhe të gjitha strukturat e tij”, shkruan Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re