Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Adrian Davidoiu dhe Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, z. Octavian Serban.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Meta përmes një reagimi në Facebook, ku tha se me ta ka ndarë shqetësimin për situatën e rënduar në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Partia e Lirisë do të vijojë të jetë promotore e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
Reagimi i Metës:
Kënaqësi të prisja sot të dërguarin e posaçëm të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Adrian Davidoiu dhe Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, z. Octavian Serban.
Ndamë shqetësimin për situatën shumë të rënduar në Veri të Kosovës dhe nevojën jetike për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE, e të mbështetur nga SHBA, si edhe për firmosjen e implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si garanci për paqen e qëndrueshme mes dy shteteve.
I shpreha të dërguarit special Davidoiu rëndësinë e vendosjes së kufjve të qartë nga Bashkimi Europian, ndaj kujtdo, që si në rastin e sulmit terrorist në Veriun e Kosovës, cënon sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.
Rritja e bashkëveprimit të Rumanisë me Ballkanin Perëndimor është e mirëpritur dhe ne ndamë vlerësime mbi zhvillimet rajonale, me një fokus të veçantë tek ritmi i proceseve integruese të rajonit në Bashkimin Europian.
Partia e Lirisë do të vijojë të jetë promotore e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane, ndaj i shpreha gadishmërinë përfaqësuesve të Rumanisë, për një bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona.