Një thirrje për të respektuar masat kufizuese të vendosura nga qeveria kundër përhpajes së COVID-19 erdhi edhe nga presidenti Ilir Meta. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta tha se është me shumë rëndësi që këto masat të zbatohen sepse vetëm në këtë mënyrë do të mbrohet shëndeti.

 

“I ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët. Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne.”

 

Kreu i shtetit pati një apel edhe për qeverinë që çdo akt që miraton dhe çdo masë që merr ta vlerësojë me kujdes.

 

“Ndërkohë, është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre. Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore.”

 

Ilir Meta kërkoi që masat kufizuese të jenë në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve është garanci për përballimin me sukses të pandemisë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re