Presidenti Ilir Meta ka uruar sot besimtarë myslimanë shqiptarë për fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Në mesazhin e publikuar në Facebook, Presidenti Meta ndalet në situatën e pazakontë që po përjeton sot vendi si pasojë e pandemisë. Kreu i shtetit shprehet se, si asnjëherë më parë shoqëria ka nevojë për solidaritet mbarëkombëtare.

Presidenti Meta fton besimtarët që këto ditë: “Të lutemi për heronjtë e ditëve tona, për mjekët dhe infermierët, që në vijën e parë të frontit janë duke luftuar çdo ditë për të mbrojtur shëndetin e secilit prej nesh. Por edhe për imamët e klerikët që aq shumë po përpiqen për të na ndihmuar në këto momente të vështira”.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:

“Të lutemi për heronjtë e ditëve tona

Të dashur motra dhe vëllezër,

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë,

Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit, të lartësimit dhe pastrimit të shpirtit!

Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, me mbarësi dhe begati të përhershme në familjet dhe vatrat tuaja!

Ditët e vështira që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19, na kanë privuar sivjet nga përjetimi i namazeve në xhami dhe nga iftaret e përbashkëta, duke na detyruar që Ramazanin ta përjetojmë si sakrificë profetike me lutje drejtuar Zotit me veten dhe familjet tona.

Kemi detyrim të respektojmë një porosi profetike: “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni. Ata që kanë sëmundje ngjitëse të qëndrojnë larg të tjerëve”.

Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore dhe hadithet e Profetit Muhamed se “pa dyshim pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”

Si asnjëherë tjetër me kurajo e solidaritet mbarëkombëtar ta përballojmë këtë sfidë të përbashkët dhe t’i gëzohemi lumturisë që na jep qëndrimi më shumë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe prindërve tanë.

Le të lutemi së bashku, larg fizikisht por pranë njëri-tjetrit me shpirt e zemër, dhe le të rizgjojmë ndjenjat më të bukura, të pastrojmë ndërgjegjet, të pendohemi për gabimet tona dhe të ndezim shpresat për ditët më të mira që patjetër do të vijnë!

Për më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet! Sepse këto janë edhe mesazhet profetike që duhen përcjellë në këtë Muaj të Shenjtë.

Të reflektojmë me besimin në Zot, për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të shoqërisë sonë, në veçanti të rinisë dhe familjes!

Të lutemi për heronjtë e ditëve tona, për mjekët dhe infermierët, që në vijën e parë të frontit janë duke luftuar çdo ditë për të mbrojtur shëndetin e secilit prej nesh. Por edhe për imamët e klerikët që aq shumë po përpiqen për të na ndihmuar në këto momente të vështira.

T’u gjendemi pranë prindërve, të moshuarve dhe të braktisurve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për ne. Ashtu siç na porositin mësimet e Shenjta të ndajmë me ta të mirat dhe gëzimet tona, për t’u dhënë shpresë e për të çelur lumturinë në çdo zemër të përvuajtur nga dhimbjet, dëshpërimi e varfëria.

Një urim të veçantë kam sot për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë, Malësi dhe në diasporë, që Zoti t’u pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e tyre të mira, dhe që ky Muaj t’u sjellë begati, mirësi dhe paqe në familjet e tyre!

Sakrificat të na afrojnë më shumë zemrat dhe të na unifikojnë shpresën se ditë më të mira patjetër do të vijnë!

NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT! ”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re