Presidenti Ilir Meta, pas vizitës në Lezhë, ka ndaluar në Shkodër, një prej qyteteve më të prekura nga koronavirusi dhe e quajtur si një “bombë me sahat” nga institucionet.

Kreu i shtetit është takuar prefektin e qarkut Çesk Midhja dhe me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi.

Në fokus të diskutimeve në këto takime mësohet se ka qenë situata me COVID 19 në qarkun e Shkodrës, një nga më problematiket pas Tiranës sa i takon numrit të shtuar të infeksioneve gjatë ditëve të fundit.

“Dua të ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces, të mos ndihen fajtorë dhe të rrezikojnë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo realizuar procesin e karantinimit për rastet e dyshuara për kontaktet. Nuk është turp të kesh COVID 19 por është turp të jesh i pakujdeshësëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë të familjes, miqve, fqinjve e me radhë”, deklaroi presidenti.

Testim apo izolim?

Vendet që kanë më shumë rezultate në luftën ndaj pandemisë janë ato që po kryejnë testime. Nga ana e qeverisë shqiptare ka një hezitim në këtë drejtim, duke u mjaftuar me masat kufizuese. Lidhur me këtë çështje Presidenti pati këtë koment.

“Procesi i kufizimeve është proces që po e ndjek shumica e vendeve. Ne jemi fqinj të Italisë me të cilin kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike. Duhet të jemi të duruar dhe të respektojmë këto kufizime. Përmes gjurmimit efikas të gjitha rasteve të identifikuara dhe testimeve do të arrijmë të izolojmë të gjithë rastet që të mos kemi shpërndarje të mëtejshme por shërim të gjithë personave të prekur dhe vatrave të deritanishme”

Kryeqendra e veriut është cilësuar si një “bombë me sahat” edhe nga kryeministri Rama, i cili ka bërë thirrje për distancim social.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re