Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me anë të një ceremonie të veçantë, disa personalitete të shquara kryeqytetase dhe veprimtarë aktivë të Shoqatës “Tirona Intellectum” dhe Shoqatës “Tirana”.

Me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, kreu i Shtetit dekoroi muzikologun Zamir Këlliçi, me motivacionin “Për kontributin e tij të shquar si muzikolog, krijues, estet, publicist, studiues e botues i shumë veprave të historisë së muzikës dhe enciklopedive të artit e kulturës. Për rolin e tij të veçantë në arshivimin e dokumentacionit dhe vlerave kombëtare artistike dhe historike të traditës sonë operistike, teatrore dhe muzikës popullore”,

si dhe violonçelistin Kujtim Vorpsi, “Për kontributin e tij si muzikant i spikatur dhe udhëheqës artistik i shumë pjesëve instrumentale, rapsodike dhe simfonike. Për talentin interpretues e krijues në instrumentin e violonçelit, si dhe veprimtarinë e pasur koncertale e solistike edhe si pedagog, duke krijuar një shembull për brezat e rinj”.

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u dekoruan nga Kreu i Shtetit pedagogia dhe intelektualja e spikatur, zonja Mirela Bogdani, me motivacionin “Për kontributin e shquar e kurajën qytetare në dobi të interesit dhe identitetit etno-kulturor të komunitetit tiranas; për aftësitë e larta drejtuese në krye të shoqatës ‘Tirona Intellectum’ në ruajtjen e përsosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë historike, kulturore e arkitekturore të qytetit të Tiranës, si dhe në nxitjen dhe përsosjen e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”; si dhe zonja Klodiana Toptani, “Për meritën dhe kontributin e shquar në ruajtjen e pasurisë kulturore, historike, shpirtërore dhe monumentale të kryeqytetit, veçanërisht për përkushtimin dhe vizionin për ta kthyer Kalanë e Tiranës në qendër të kulturës, artit dhe kujtesës historike të vendit, duke e shndërruar atë në një nga atraksionet kryesore turistike që pret e përcjell qindra e mijëra vizitorë vendas e të huaj”.

“Disa javë më parë kujtuam së bashku 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë! Vlerësuam punën dhe kontributin e shumë gjeneratave për ta shndërruar kryeqytetin në avangardën e progresit tonë shoqëror, ekonomik edhe kulturor! Shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë qytet, përveç tipareve njerëzore të banorëve të Tiranës, si mikpritja, respekti i ndërsjellët, bujaria, dashuria për punën dhe profesionin, për artin, për traditat, për këngët e për vallet, si dhe aftësia e pashembullt e tiranasve për të përthithur e integruar gjithë diversitetin kulturor të kombit tonë! Ndaj jam i lumtur që jemi sërish bashkë për të vlerësuar disa personalitete të shquara të jetës kulturore, artistike dhe veprimtarë të jetës publike në kryeqytetin tonë.

Padyshim numri i familjeve dhe i personaliteteve të Tiranës është i pafund. Por sot kemi veçuar për të vlerësuar propozimet e Universitetit të Arteve dhe Shoqatës Tirana për violonçelistin e talentuar Kujtim Vorpsi, si dhe muzikologun e njohur zotin Zamir Këlliçi, përfaqësues të denjë të traditës kulturore të familjeve të shquara tiranase si dhe dy personalitete të muzikës dhe kulturës sonë!

Të nderuar miq,
Tirana përbën asetin më me vlerë të mendimit të përparuar, energjisë rinore dhe kapaciteteve krijuese dhe intelektuale, në të gjitha fushat e jetës, në arsim, në shkencë, në art, në sport, në kulturë dhe folklor. Komuniteti i Tiranës është ndër më të shquarit. Ne të gjithë gëzohemi për arritjet e kryeqytetit, ashtu sikurse ndjehemi të trishtuar nga shembja dhe braktisja, për fat të keq edhe e shumë vlerave të çmuara monumentale dhe historike të tij. Në këtë betejë të gjatë, midis ruajtjes së traditave monumentale më të mira dhe shkatërrimit, do të doja të theksoja se gjithmonë jam gjendur dhe gjendem pranë shqetësimit më të thellë qytetar dhe intelektual të komunitetit tuaj, por edhe të mbarë opinionit publik. Do të dëshiroja dhe njëherë të theksoja rëndësinë për kauzën e të gjithë atyre që tregojnë të ardhmen, duke ruajtur vlerat më të mira të trashëgimisë sonë së pasur.

E vlerësoj faktin, që në këtë përballje shoqata ‘Tirona Intellectum’ e drejtuar nga aktivistja e shquar, pedagogia Mirela Bogdani dhe shumë aktivistë të tjerë shoqërorë, ka qenë përherë në ballë të manifestimeve, tubime, të debateve dhe protestave për mbrojtjen e kësaj pasurie të paçmuar kulturore të jetës shpirtërore të kryeqytetit dhe të vendit tonë.

Kryeqytetit nuk i mungojnë gjithashtu qytetaret aktive, si Klodiana Toptani, e cila me përkushtim dhe vizion, luftoi për ta kthyer kalanë e Tiranës në qendër të kulturës, artit dhe kujtesës historike të vendit, përmes organizimit të aktiviteteve dhe eventeve të shumta, që zhvillohen aty nën kujdesin e veçantë të saj. Ndaj është kënaqësi, që këto të dyja qytetare kaq aktive, ti nderojmë me titullin fisnik, ‘Për merita të veçanta civile’ duke i inkurajuar edhe më tej në rrugën e jashtëzakonshme, të mbrojtjes së vlerave të kryeqytetit dhe pasurisë historike, etno-kulturore e shpirtërore të Tiranës”, tha Meta.