Skip to content

Meta zbardh takimin me Bashën e aleatët, ja çfarë i kërkoi presidenti

 

60 minuta ka zgjatur takimi i presidentit me krerët e partive opozitare në Pallatin e Brigadave. Presidenca ka bëri të ditur publikisht çështjet që u diskutuan në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura.

“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane. Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian”, thuhet në reagimin e presidencës.

Presidenti mësohet se i ka kërkuar opozitës që të mos bojkotojë seancën e parlamentit.

“Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në deklaratën e kreut të shtetit.

Takimi është thirrur nga vetë presidenti dhe se mësohet se Meta ka falënderuar për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19.