Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Ukraina dhe Rusia kanë njoftuar se të dyja palët mund të mbajnë një takim të nivelit të lartë brenda një ose dy javësh, derisa Ankaraja shton përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme me rrugë diplomatike.

Ministri Çavuşoğlu në një intervistë për kanalin privat të lajmeve “A Haber” tha se Turqia dëshiron të presë takimin në nivel të ministrave të jashtëm ose krerëve të shteteve.

Duke folur për rolin e mundshëm të Turqisë si shtet garantues për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, ai tha se marrja e këtij roli nuk do të thotë të hysh në luftë.

Delegacionet ruse dhe ukrainase të martën në Stamboll u takuan për bisedimet e paqes, ndërsa lufta hyri në muajin e dytë me viktima të shumta nga të dyja palët.

Ukraina dëshiron të shohë vendet, përfshirë Turqinë, si garantuese në një marrëveshje me Rusinë, tha një negociator ukrainas pas bisedimeve.

Turqia ka marrë vlerësime të gjera për përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës, e ndihmuar nga qëndrimi i saj unik në marrëdhëniet miqësore me Rusinë dhe Ukrainën.

Më 10 mars, Turqia priti ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas në qytetin Antalya, takim i nivelit më të lartë i të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Lufta Rusi-Ukrainë është pritur me zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.189 civilë janë vrarë në Ukrainë, duke përfshirë 108 fëmijë dhe 1.901 të tjerë janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, e cila paralajmëron se shifra e vërtetë ka gjasa të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 4 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në disa vende evropiane, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re