Pas deklaratës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për situatën në të cilën ndodhet bashkia e Skraparit për shkak të mos miratimit të buxhetit për vitin 2019, ku thuhet se buxheti është gati, por më parë kryetari i bashkisë duhet që të bëjë detajimin e tij, ka reaguar sërisht kreu i kësaj bashkie, Nesim Spahiu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu e nis deklaratën e tij duke thënë se “mjerë shteti në dorë të kujt ka rënë!”.

Ai shton se ende bashkia e Skraparit nuk ka buxhet dhe kjo është konfirmuar edhe nga prefekti I Beratit, kjo sipas tij për faj  konfirmimit të disa vendimeve të pa ligjshme.

“Këto që bëni ju zonja ministre, janë vetëm shantazhe dhe përultësia juaj arrin deri atje sa del dhe nga korniza ekonomike”, shkruan ndër të tjera kryebashkiaku.

Reagimi i plotë:

Mjerë shteti në dorë të kujt ka rënë!

 Zonja ministre, ndoshta nuk do ta kuptosh se ende Bashkia e Skraparit nuk ka buxhet dhe kjo për faj të konfirmimit të disa vendimeve të pa ligjshme, konfirmuar nga Prefekti i Beratit, Harilla Dafa.

I kujtojmë Ministres, Anila Denaj se të gjitha vendimet e konfirmuara nga Prefekti Dafa, janë jo vetëm të pa ligjshme por dhe të pashoqëruara me pasqyrat financiare, tabelat dhe treguesit ekonomikë, vendime të cilat do të duhej të ishin pasqyruar, në mënyrë që t’a bënin këtë buxhet teknikisht dhe praktikisht të zbatueshëm.

Këto që bëni ju zonja ministre, janë vetëm shantazhe dhe përultësia juaj arrin deri atje sa del dhe nga korniza ekonomike.

Kjo do të thotë, vetëm politikë e ndyrë në dëm të banorëve të Skraparit të cilit kanë mëse një muaj që u mungojnë; shërbimi i pastrimit të qytetit, shërbimet që lidhen me logjistikën e bashkisë, punonjësve rrogat, si dhe fëmijët pa shërbimin në çerdhe, fëmijët me aftësinë ndryshe pa kujdesin e punonjësve social . Nëse nuk e dini, po u tregojmë zonja ministre,  se buxheti nuk është 4 fletë formati, me 4 vendime, nga të cilit një i falsifikuar, por është një buxhet i detajuar me treguesit ekonomik ku përfshihet i gjithë zhvillimi ekonomik i bashkisë.

Ndaj u bëjmë edhe njëherë thirrje që të reagoni sa nuk është vonë, në pritje që edhe këta banorë, të marrin shërbimet që u takojnë me ligj nëse ka shtet…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re