Një gjykatë në Mianmar ka dënuar udhëheqësen e rrëzuar Aung San Suu Kyi me shtatë vjet burg për pesë akuza, tha një burim i njohur me rastin.

Ky aktgjykim përfundoi procedurat e fundit gjyqësore kundër Suu Kyi, e cila u arrestua në shkurt të vitit 2021 pas një grusht shteti ushtarak, transmeton Reuters.

Në një seancë me dyer të mbyllura, ajo u shpall fajtore për vepra penale që lidhen me dhënien me qira dhe përdorimin e helikopterëve gjatë kohës që ishte në krye të shtetit, shpjegoi burimi, i cili ka dashur të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Një zëdhënës i juntës në pushtet nuk mund të kontaktohej për koment.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe kaloi dekada duke luftuar për demokracinë në Mianmar dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj politike në paraburgim nën junta ushtarake.

Vendimi i sotëm vjen pas vendimeve të dhjetorit të vitit të kaluar, të cilat parashikojnë të paktën 26 vite burg.

Vendet perëndimore i dënuan procedurat gjyqësore si një dredhi për të mbajtur larg Suu Kyi, e parë si armiku më i madh i juntës ushtarake.

Rezistenca ndaj juntës ushtarake në pushtet po bëhet më e fortë në vend.

Suu Kyi i quajti të gjitha vendimet e mëparshme “absurde”.

Ushtria rrëzoi Suu Kyi-n me pretekstin se ajo kishte dështuar në adresimin e parregullsive në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat partia e saj fitoi në një masë dërrmuese.

Para se të rrëzohej nga pushteti dhe arrestohej, ajo u bë lajm botëror prej genocidit ndaj Rohinjave, popullsisë muslimane të Mianmarit, për të cilin u gjykua keq nga bota.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re