Kundërshtarët e ushtrisë së Mianmarit, e cila mori pushtetin në një grusht shteti në shkurt, hodhën bojë të kuqe në rrugë dhe shenja para zyrave qeveritare të mërkurën si një simbol i gjakut të protestuesve të vrarë, në ditën e dytë të festimeve tradicionale të Vitit të Ri.

Ky akt, i cili synon të turpërojë ushtrinë, ndodhi në disa qytete, tregojnë fotot në rrjetet sociale.

Një pjesë e protestuesve marshuan duke kërkuar lirimin e udhëheqëses të ndaluar të zgjedhur në mënyrë demokratike Aung San Suu Kyi. Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen ndodhet në burg që nga grushti i shtetit i 1 shkurtit, e akuzuar për shkelje të ligjit për sekretin zyrtar.

Grushti i shtetit e zhyti Mianmarin në krizë dhjetë vjet pas kthimit gradual të tij në sistemin demokratik. Protestat dhe mosbindja civile janë duke u zhvilluar çdo ditë që nga marrja e pushtetit nga ushtria, kështu që një pjesë e madhe e ekonomisë ka ngecur.

Festimet pesë-ditore të Vitit të Ri, të njohur si Thingyan, filluan në Mianmar të martën, por protestuesit anuluan festimet tradicionale.

Grupi aktivist Shoqata për Ndihmë për të Burgosurit Politikë pretendon se ushtria ka vrarë 710 protestues deri më tani.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut njoftoi të martën se ka frikë se protestat në rrugë mund të kthehen në një luftë civile siç shihet në Siri.

Grushti i shtetit rinovoi gjithashtu armiqësitë midis ushtrisë dhe forcave të pakicave etnike që luftonin për autonomi në rajonet kufitare.

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re