Skip to content

Mianmar, gjykata dënon gazetarin amerikan me 11 vite burg

Një gjykatë ushtarake në Mianmar dënoi sot gazetarin amerikan Danny Fenster me 11 vjet burg pasi e shpalli fajtor për disa akuza, përfshirë gjoja përhapjen e informacionit të rremë ose nxitje.

Fenster, kryeredaktori i revistës online “Frontier Myanmar”, u shpall gjithashtu fajtor për kontakte me organizata të paligjshme dhe shkelje të rregulloreve të vizave, tha avokati Than Zaw Aung.

Ai u dënua me dënimin maksimal për çdo akuzë.

Fenster është në paraburgim që nga maji. Ai përballet me dy akuza shtesë në një gjykatë tjetër për shkelje të supozuara të ligjeve kundër terrorizmit dhe kryengritjes.

“Të gjithë në Frontier janë të zhgënjyer dhe të frustruar me këtë vendim. Thjesht duam të shohim Danny të liruar sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të shkojë në shtëpi te familja e tij”, tha kryeredaktori Thomas Kean pas dënimit.

Fenster u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar Yangon më 24 maj përpara se të hipte në një fluturim për në Detroit.

Ai është i vetmi gazetar i huaj i dënuar për krim që kur ushtria mori pushtetin në shkurt.

Qeveria e ngritur nga ushtria ka marrë masa të ashpra ndaj mediave. Rreth 100 gazetarë janë arrestuar, nga të cilët rreth 30 janë ende në burg.

Ushtria e Mianmarit kreu grusht shteti më 1 shkurt të këtij viti dhe mori pushtetin në vend. Ushtria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme njëvjeçare dhe ka arrestuar liderët e qeverisë, përfshirë udhëheqësen e Mianmarit, Aung San Suu Kyi.