Protestuesja e qëlluar nga policia gjatë protestave kundër grushtit të shtetit në Mianmar i ëshë nënshtruar plagës.

Mya Thwate Thwate Khaing, 20-vjeçare, e qëlluar me plumb plastike në kokë më 9 shkurt në kryeqytetin Naypyidaw, ka ndërruar jetë në spitalin ku po trajtohej, njoftoi vëllai në një prononcim për mediat.

Khaing u bë protestuesja e parë që vdes si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë gjatë protestave masive që po vazhdojnë në Mianmar që nga 6 shkurti kundër puçit ushtarak.

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Disa vende, si SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja, kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve ushtarakë që organizuan puçin.

Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.

Suu Kyi, paraburgimi i së cilës u vazhdua dy herë, do të mbahet prapa grilave të paktën deri në fillimin e një seance gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re