Fondacioni Humanitar IHH me bazë në Stamboll ka ndihmuar deri më tani 1,3 milionë muslimanë Rohingya që nga shpërthimi i krizës në shtetin Arakan të Mianmarit më 25 gusht të vitit 2017, transmeton KosovaPost.

Sipas një deklarate nga IHH, organizata ka ofruar ushqime, ujë, strehim, artikuj për kujdes personal dhe veshje, si dhe objekte shëndetësore dhe rehabilitimi për familjet e muslimanëve të Arakanit në Bangladesh, Mianmar dhe Indi që nga viti 1996.

Më shumë se 750.000 refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, sipas Amnesty International, u larguan nga Mianmari në drejtim të Bangladeshit fqinj pasi forcat e Mianmarit nisën një fushatë dhune ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

IHH ka ndërtuar 7.432 njësi banimi me drunj bambu të pajisura me panele diellore, me synim për të ndërtuar 13.000 të tjera, thuhet në deklaratë.

Njësitë e banimit të ndërtuara nga IHH janë paraqitur si model nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) e OKB-së për organizatat e tjera joqeveritare që punojnë për të ofruar ndihma humanitare në rajon, theksohet më tej.

Gjithashtu, tha IHH, është bërë shpërndarja e tendave për 16.365 familje, ndërsa hasra janë shpërndarë për 12.540 familje që qëndrojnë në kampet në Mianmar dhe Bangladesh.

Në ditët e para të krizës vitin e kaluar, IHH hapi tre qendra të përkohshme shëndetësore në Mianmar dhe Bangladesh dhe ndihmoi në trajtimin dhe logjistikën e 45 të plagosurve Rohingya.

Qendrat shëndetësore kryen kontrolle për gjithsej 109.750 persona që nga ndërtimi i tyre.

Gjithashtu, është siguruar qasje në ujë të pastër përmes 113 puseve, dhjetë puseve me tuba të thellë, secila me kapacitet depozitimi prej 5.000 litrash dhe 305 banjo.

Deklarata e fondacionit thekson më tej se pesë qendra rehabilitimi janë ndërtuar për fëmijët dhe jetimët që jetonin në kampet në qytetin Cox’s Bazar.

Qendrat aktualisht ofrojnë strehim, arsim, shëndetësi dhe ushqim për 1.094 fëmijë, ndërsa 678 fëmijëve të tjerë u jepet mbështetje e rregullt në kuadër të programit të sponsorizimit të jetimave të inicuar nga organizata.

Që prej 25 gushtit të vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontarios (OIDA).

Më shumë se 34 mijë mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re