Liderja e rrëzuar në Mianmar, Aung San Suu Kyi, dënohet me 4 vite burg në gjykimin me akuzat për importimin edhe posedimin e radio marrësve në mënyrë të paligjshme.

Për Aung San Suu Kyi që u rrëzua më 1 shkurt 2021 me një grusht shteti ushtarak, u njoftua vendimi i dytë për një seri çështjesh që ajo gjykohet.

Gjykata në kryeqytetin Nepido, dënoi me 4 vite burg 76 vjeçaren Suu Kyi e cila u gjet fajtore për posedimin dhe importimin e radio marrësve duke shkelur procedurat zyrtare.

Suu Kyi në vendimin e parë në të cilën ajo gjykohet për 11 akuza të ndryshme, u dënua më 6 dhjetor me 4 vite burg për nxitje të popullit në rebelim dhe shkeljen e kufizimeve të COVID-19.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve politike në vend, mori pushtetin më 1 shkurt. Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kundërshtare, deri më tani kanë humbur jetën 902 persona si dhe janë arrestuar mijëra protestues.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë të Mianmarit (AAPP), që nga grushti i shtetit e deri më tani kanë humbur jetën afro 1.400 persona, ndërsa janë arrestuar rreth 10 mijë të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re