Skip to content

Mianmar, në protestat kundër grusht shtetit humbin jetën 7 persona

Të paktën 7 persona e kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në Mianmar ndaj protestuesve që reaguan kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas informacioneve që shtypi i Mianmarit dhe aktivistët pjesëmarrës në protesta kanë ndarë në median sociale, mësohet se ushtria e Mianmarit ka përdorur plumba të vërtetë për të shpërndarë protestat e zhvilluara në rajonet Yangon dhe Bago.

Si pasojë e ngjarjeve të përjetuara kanë humbur jetën 2 persona në Bago dhe 5 të tjerë në Yangon.

Zay Phyo, aktivist pjesëmarrës në protestat në Yangon, në një prononcim për AA tha se “Nga forcat e sigurisë prisnim ndërhyrje të ashpër. Për këtë arsye u përpoqën të mbrojmë veten me aq sa mundëm”.

“Pamë se edhe disa persona u qëlluan. Humbjet e jetëve mund të rriten”, deklaroi Phyo.

Mahn Win Khaing Than, kryetari i Komitetit Përfaqësues të Parlamentit Kombëtar (CRPH) të formuar nga deputetët që nuk pranuan legjitimitetin e administratës ushtarake në Mianmar ka thënë se “Si qeveri civile premtojmë se do të punojmë për të nxjerrë çdo ligj që do t’i mundësojë popullit të mbrohet”.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit, kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën rreth 80 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.