Protestat kundër grushtit të shtetit dhe arrestimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë në Mianmar vazhdojnë pavarësisht vendimit të administratës ushtarake për të ndaluar qasjen në internet.

Sipas pamjeve të shpërndara në mediat sociale, kundërshtarët e grushtit të shtetit nga grupe të ndryshme profesioniste të mbledhura në kryeqytetin Naypyidaw dhe në Yangon filluan një aksion të mosbindjes civile kundër administratës ushtarake.

Në ditën e dhjetë të protestave, shumë mjekë, inxhinierë, nëpunës civilë dhe mësues u kërkuan kolegëve të tyre të bashkohen me lëvizjen e mosbindjes civile, duke bërë thirrje për lirimin e ish-ministres së Jashtme dhe udhëheqëses de fakto të vendit Aung San Suu Kyi dhe zyrtarëve të qeverisë të cilët ishin ndaluar para grushtit të shtetit.

Në mënyrë që të mos organizohen protesta në shkallë të gjerë në mediat sociale, administrata ushtarake dje vuri ndalesë të përkohshme në qasjen në internet.

Po ashtu u njoftua se Suu Ky do të mbahej në paraburgim deri më 17 shkurt.

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re