Budistët ekstremistë në Mianmar protestuan kundër kthimit të rreth 600 mijë muslimanëve të Arakanit të cilët janë strehuar në Bangladesh duke ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë.
Në protestën e organizuar në kryeqytetin e provincës së Arakanit, Sittwe, morën pjesë qindra budistë ekstremistë të djathtë, në mesin të cilëve ndodheshin edhe priftërinjtë.
Njëri nga organizatorët e protestës Aung Htay tha se i kanë bërë thirrje Qeverisë së Mianmarit që të mos lejojë kthimin e muslimanëve të Arakanit në vend.
Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) Joel Millman, në një konferencë për media në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë tha se ka arritur në 589 mijë numri i muslimanëve të Arakanit të cilët janë strehuar në Bangladesh duke ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë që nga shpërthimi i dhunës më 25 gusht.
Ai bëri të ditur se së bashku me refugjatët e ardhur më herët në kampin në Cox’s Bazar të Bangladeshit, numri i këtyre muslimanëve të Arakanit ka arritur në 800 mijë, shkruan aa. Operacionet e nisura nga ushtria e Mianmarit pas sulmeve në pikat policore në Arakan vitin e kaluar dhe vrasja e nëntë policëve, shkaktuan që pakica muslimane në këtë vend të përballet me një valë të madhe të dhunës.
Për shkak të operacioneve, qindra mijëra muslimanë të Arakanit u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
OKB-ja tha se nevojitet një fond emergjence në vlerë prej 434 milionë dollarësh për të përmbushur nevojat themelore njerëzore të muslimanëve të Arakanit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re