Është rritur në 510 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 51 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 510 numrin e viktimave.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 2.574 persona dhe se ka një urdhër arresti për 120 persona të tjerë.

Në jetët e humbura të shënuara që nga 27 marsi e deri më sot ndodhen 14 fëmijë dhe një punonjës policie që bëri mosbindje civile.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 500 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re