Në Mianmar vazhdojnë grevat e përgjithshme dhe protestat kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë.

Në protestat e zhvilluara me pjesëmarrje të gjerë në shumë qytete të vendit kryesisht në kryeqytetin Nepido dhe në Yangon dhe Mandalay, protestuesit kundër grushtit të shtetit dënuan dhunën e forcave të sigurisë dhe kërkuan lirimin e anëtarëve të qeverisë.

Në kuadër të “Kryengritjes 2222” e cila filloi dje dhe e cila është frymëzuar nga 22 shkurti 2021, shumë pronarë biznesesh në Yangon edhe sot mbyllën bizneset e tyre.

Në lajmet në faqet e internetit të opozitës së vendit, njoftohet se në 24 orët e fundit janë arrestuar të paktën 25 protestues.

Në anën tjetër grupet protestuese njoftuan se janë lëshuar urdhra për arrestimin e 78 personave, përfshirë ata që ofrojnë mbështetje ndaj protestave nëpërmjet postimeve në median sociale, aktivistë, artistë, shkrimtarë dhe gazetarë.

Në deklaratë bëhet e ditur se në mesin e personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhër arresti, ndodhen edhe Min Ko Naing, lideri i lëvizjes studentore që ka luajtur rol në kryengritjen e madhe të viti 1988 dhe Moe Thee Zun, i cili është një prej emrave që ka organizuar kryengritjen.

Organizatat e Mianmarit jashtë vendit mbështetje ndaj protestave

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut të Birmanisë (BHRN) me qendër në Britani të Madhe dhe Organizata Rohingya e Birmanisë në Britani (BROUK), kanë dhënë deklarata mbështetëse ndaj vendimit të protestuesve për të filluar grevë të përgjithshme.

Drejtori i BHRN-së, Kyaw Win, në një deklaratë me shkrim, vuri në dukje se mbështesin protestën dhe grevat e zhvilluara në kuadër të “Kryengritjes 2222”. Më tej Win i bëri thirrje ushtrisë së Mianmarit që të tërhiqet nga administrimi i vendit dhe të lirojë anëtarët e arrestuar të qeverisë që janë të zgjedhur.

Edhe lideri i BROUK, Tun Khin duke bërë të ditur se qytetarët e Arakanit janë në solidarizim me protestuesit, tha se “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbrojë popullin e Mianmarit nga dhuna e forcave të sigurisë”.

Khin reagoi lidhur me lajmet se ushtarët e Divizionit të 33-të të Këmbësorisë së Lehtë (LID 33) të cilët kanë marrë pjesë në masakrat e kryera në rajonin e Arakanit në vitin 2017 janë ngarkuar me detyrë për të ndërhyrë ndaj protestave në Mandalay.

“Ndajmë dhimbjen e familjarëve dhe të afërmeve të atyre që kanë humbur jetën. Këto vdekje na rikujtojnë masakrat që ushtarët LID 33 kanë kryer në vitin 2017 ndaj shumë meshkujve, grave dhe fëmijëve në Arakan”, tha ai.

Grusht shteti në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Teksa ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, në vend më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, Bashkimin Evropian (BE), shumë vende si dhe Turqia, reaguan ashpër ndaj puçit ushtarak. SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania zbatuan sanksione ndaj zyrtarëve që luajtën rol në grushtin e shtetit.

Kundër grusht shtetit në vend populli filloi protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria shpalli shtetrrethim në disa qytete.

Deri më tani si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat kundër grushtit të shtetit kanë humbur jetën 3 persona.

Teksa vazhdon gjykimi në gjykatat ushtarake ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë të arrestuar, raportohet se Suu Kyi do të qëndrojë nën arrest deri në seancën gjyqësore që është caktuar më 1 mars.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re