Skip to content

Mianmar, vazhdojnë protestat kundër grushtit ushtarak

Protestat në Mianmar vazhduan pavarësisht nga shtetrrethimi i shpallur në disa qytete pasi protestat kundër puçit ushtarak u përhapën në gjithë vendin.

Protestuesit u mblodhën në Yangon, duke brohoritur slogane kundër grushtit të shtetit dhe duke mbajtur fotografi të ish-lideres së vendit, Aung San Suu Kyi, e cila u arrestua para grushtit të shtetit dhe flamuj të kuq që simbolizojnë partinë e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Në mesin e protestuesve ishin edhe punonjësit shëndetësorë dhe persona me kostume të ndryshme.

Qeveria ushtarake e Mianmarit dje shpalli shtetrrethim në shtatë rrethe të qyteteve Yangon dhe Mandalay pas protestave kundër puçit të përhapura në gjithë vendin.

Po ashtu, në vend u shpall ndalesë qarkullimi nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 04:00 të mëngjesit dhe u ndalua mbledhja e grupeve me më shumë se 5 persona.

Ushtria e Mianmarit, e njohur zyrtarisht si Tatmadaw, shpalli gjendje të jashtëzakonshme javën e kaluar disa orë pasi ndaloi lideren “de-fakto” të vendit dhe këshilltaren e shtetit Aung San Suu Kyi, presidentin Win Myint dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Suu Kyi ishte lidere e Mianmarit nga viti 2016 deri në vitin 2021 pas një lufte të gjatë për demokraci që i dha asaj Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991. Megjithatë, heshtja e saj në lidhje me masakrën ndaj muslimanëve Rohingya dhe mbrojtja e gjenocidit të ushtrisë në Gjykatën Ndërkombëtare tërhoqi kritika të ashpra në gjithë globin.

Grushti i shtetit është kryer disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri që po mblidhej pas zgjedhjeve të mbajtura nëntorin e kaluar, në të cilën partia NLD e kryesuar nga Suu Kyi korri fitore. Ushtria pretendoi se grushti i shtetit ndodhi për shkak të “mashtrimeve zgjedhore” që ka çuar në dominimin e NLD-së në parlament.