Skip to content

Mianmar, vritet një vajzë 7-vjeçe nga junta ushtarake

Një vajzë 7-vjeçare u qëllua dje për vdekje nga forcat e juntës në qytetin e dytë më të madh të Mianmarit, Mandalay, duke u bërë viktima më e re e protestave kundër grusht shtetit ushtarak të 1 shkurtit, tha familja e saj.

Khin Myo Chit ishte ulur në prehrin e babait të saj kur ushtarët hynë në shtëpinë e tyre dhe u përpoqën ta qëllonin atë, tha motra e saj për faqen e lajmeve “Myanmar Now”.

Protestat kanë vazhduar në Mianmar që kur Tatmadaw, emri zyrtar i ushtrisë së Mianmarit, mori kontrollin.

Sipas organizatës “Save the Children”, të paktën 20 fëmijë janë vrarë që nga grusht shteti.

Aye Chan San, motra e viktimës, tha se forcat e juntës bastisën vendbanimin Chan Mya Thazi rreth orës 16:00 sipas kohës lokale.

“Ata pyetën nëse të gjithë ishin në shtëpi. Babai im u përgjigj se të gjithë ishin. Khin Myo Chit ishte ulur në prehrin e babait tonë. Njëri prej tyre tha se babai im ishte duke gënjyer dhe qëlloi atë”, tha ajo.

Por, në vend të kësaj plumbi goditi motrën e saj. Ajo u dërgua me urgjencë në një spital, por iu nënshtrua plagëve.

Ajo tha se më vonë u arrestua edhe vëllai i saj 19-vjeçar.

“Ne jemi të tmerruar që fëmijët vazhdojnë të jenë ndër shënjestrat e këtyre sulmeve fatale ndaj protestuesve paqësorë. Fakti që kaq shumë fëmijë po vriten në baza pothuajse ditore tani tregon një shpërfillje të plotë për jetën njerëzore nga forcat e sigurisë”, thuhet në deklaratën e “Save the Children”.