Ushtria e Mianmarit, e cila së fundmi mori pushtetin përmes grusht shtetit, ka vendosur të bllokojë përkohësisht hyrjen në Facebook

Në një deklaratë të postuar në internet, Ministria e Komunikimit dhe Informacionit tha se kompania shtetërore e telekomunikacionit MPT, operatori më i madh i telekomit në vend dhe serverat privatë të internetit në vend u urdhëruan të ndalojnë hyrjen në faqen e mediave sociale deri më 7 shkurt.

Vendimi u mor për të “siguruar stabilitetin” në vend, theksohet në deklaratë.

“Aktualisht, disa individë shpërndajnë lajme dhe informacione të rreme në Facebook, duke shkaktuar keqkuptime para publikut”, u theksua më tej.

Duke ndjekur udhëzimet e qeverisë, MPT, e cila ka 23 milionë përdorues, ndaloi hyrjen në Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ndërsa ndërmarrjet e tjera të telekomit bllokuan vetëm Facebook.

Zëdhënësi i Facebook-ut, Andy Stone, konfirmoi se faqja nuk mund të aksesohej në Mianmar.

Ushtria e Mianmarit të hënën shpalli gjendje të jashtëzakonshme, disa orë pasi arrestoi presidentin e përmbysur Win Myint dhe Këshilltaren e Shtetit Aung San Suu Kyi dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet para-grusht shtetit Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Grushti i shtetit u zhvillua disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri të vendit ku pritej të mblidhej pas zgjedhjeve nëntorin e kaluar në të cilën partia NLD e Suu Kyi korri fitore të madhe.

Ushtria pretendoi se grusht shteti u bë për shkak të “mashtrimit në zgjedhje”, që rezultuan në dominimin e NLD-së në parlament.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re