Avokatët që përfaqësojnë qytetin e Detroitit i kanë kërkuar gjykatës të sanksionojë ekipin e Presidentit të SHBA Donald Trump për përhapjen e “keqinformimit” në një paraqitje që konfirmon rezultatet e zgjedhjeve në shtetin e Michigan.

Fushata e Trump tha të enjten se ishte duke hapur një gjyq për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve në Michigan, me arsyetimin që “zyrtarët e zgjedhjeve në Michigan u takuan dhe refuzuan të konfirmojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale”.

Në fakt, anëtarët republikanë të Komisionit të Qarkut Wayne, i cili është përgjegjës për konfirmimin e rezultateve, së pari nuk dëshironin të konfirmonin rezultatin e zgjedhjeve dhe më pas, pas një reagimi të ashpër publik, ndryshuan pozicionin e tyre dhe konfirmuan rezultatet.

Avokatët e Detroitit thanë të enjten se fushata e Trump përfshiu “gjuhë të pacipë dhe gënjeshtra” në paraqitje dhe i kërkoi një gjykatësi federal të hiqte dokumentin e diskutueshëm nga procesverbali.

Ata nuk kërkuan një gjobë, por thanë se gjyqtarja Janet Nett “ka autoritetin për të hequr materialet nga regjistri si një sanksion”.

Trump ende nuk e ka njohur fitoren e Joe Biden-it, i cili siguroi më shumë se 270 vota elektorale të nevojshme në zgjedhjet presidenciale.

Të martën, katër anëtarë të Komisionit të Qarkut Wayne, në të cilin ndodhet qyteti i Detroitit, konfirmuan rezultatet e zgjedhjeve me të cilat Biden fitoi bindshëm.

Por dy anëtarë të komisionit republikan të mërkurën kërkuan të “tërheqin” votat e tyre, që është një akt simbolik, pasi nuk ka asnjë mundësi ligjore për të anuluar konfirmimin e rezultateve në këtë mënyrë.

 

loading...