Skip to content

“Migracioni i paligjshëm mund të rrëzojë qeveritë”- Ministri austriak kërkon masa për vendet e origjinës: Nëse nuk bashkëpunojnë, të rishikohen vizat dhe…

Rritja e numrit të migracionit të paligjshëm po prek masivisht Evropën.

Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, i cili ishte në Berlin për bisedime në lidhje me këtë çështje dhe të tjera është shprehur se në fakt migracioni i paligjshëm mund të jetë ajo çka mund të rrëzojë qeveritë në të ardhmen.

Ministri ndërsa shprehet se sipas tij Austria ka barrën më të rënë në kontinent për këtë çështje, thotë se është koha që të diskutohen përfundimisht masat kundër këtij fenomeni.

“Austria ka aktualisht barrën më të lartë për frymë në Evropën kontinentale. Është koha që Gjermania të diskutojë përfundimisht masat kundër migracionit të paligjshëm.

Një gjë është e qartë, presioni i migracionit nuk do të ulet në vitet e ardhshme. Migrimi është një çështje që mund të rrëzojë qeveritë”, thotë Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg.

Problemi më i madh nga pikëpamja e kryediplomatit është numri i pamjaftueshëm i kthimeve të atyre që kërkohen të largohen nga vendi.

“Çështja e dëbimeve është ‘thembra e Akilit’ e të gjithë sistemit të azilit dhe migracionit. Nëse nuk arrijmë të dëbojmë njerëz që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE, sistemi do të reduktohet në absurditet”, thotë Schallenberg.

Prandaj, Schallenberg bën thirrje për më shumë presion nga BE-ja mbi vendet e origjinës.

“Ne duhet të mësojmë të përdorim më në fund levat tona. Kjo do të thotë që për shtetet që nuk bashkëpunojnë me ne për çështjen e kthimit, ne duhet të vëmë në dyshim preferencat tarifore të BE-së ose lehtësimin e vizave dhe të rregullojmë ndihmën për zhvillim. Por kjo nuk është gjithçka, mbi të gjitha, ne kemi nevojë për mbrojtje të kufirit të jashtëm që është e denjë për emrin”, përfundoi ministri./ BILD

“”