Migros është zinxhiri më i madh zviceran i ushqimeve dhe mallrave shtëpiake me një qarkullim prej 30 miliardë CHF në vitin 2020. Kjo është midis 35-40% të xhiros totale të ushqimit në Zvicër. Ajo u themelua nga Gottlieb Duttweiler në 1928. Edhe pse ai konsumonte duhan e alkool, vendosi të mos i servirte këto produkte të diskutueshme në dyqanet e tij dhe kështu vazhdoi për 94 vjet.

Themeluesi i Migros u bë gjithashtu i diskutueshëm sepse hapi dyqanin e parë të vetë-shërbimit në vitin 1948, pavarësisht habisë dhe kundërshtimit të tregtarëve të asaj kohe, ku ishte e zakonshme që një tregtar të qëndronte pas banakut dhe t’u shërbente klientëve.

Po në këtë vit, Duttweiler u kërkoi klientëve të votonin për vendimin e tij për të mos shitur alkool në Migros. Dhe 54% e votuesve i thanë “Jo” alkoolit.

Në një rivotim pak ditë më parë, më 4 qershor, 2.27 milionë klientë të regjistruar mund të votonin nëse ishin Pro apo Kundër heqjes së dispozitës që ndalon shitjen e alkoolit në marketet Migros.

Dje u publikua lajmi se në votim morën pjesë mbi 620 mijë veta dhe 74.3% e tyre votuan që ndalimi i shitjes së alkoolit në supermarketet Migros të mbetet në fuqi.

Sot Migros është pronar i kompanive të ndryshme që merren me shitje, prodhim, turizëm, banka, transport,…

Edhe pse nuk shitet alkool në dyqanet Migros, gjithsesi mund të blihet alkool në dyqane të ndryshme (por me një emër tjetër) që janë në pronësi të tyre dhe kjo është arsyeja që kritikët e konsiderojnë hipokrit menaxhmentin e kompanisë.

Sido që të jetë, është ende mirë të kesh supermarkete dhe restorante që nuk shesin alkool dhe cigare. Kjo tregon se dhe pa këto produkte dëmsjellëse për shëndetin dhe shoqërinë, është e mundur një histori suksesi në tregun e konsumit ushqimor.

Sot, Migros punëson 99,000 njerëz dhe është punëdhënësi më i madh i sektorit privat në Zvicër. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re