Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Pragës të premten për të protestuar kundër qeverisë së qendrës së djathtë, duke e fajësuar atë për rritjen e çmimeve në vend dhe mbi “një fokus të tepruar ndaj luftës në Ukrainë.”

 

 

Protesta u organizua nga partia Lëvizja e Parë, e cila ka lidhje me të djathtën ekstreme, dhe përkonte me festën kombëtare të 28 tetorit që përkujton themelimin e Çekosllovakisë së pavarur në vitin 1918.

 

 

Protestuesit në sheshin e “Wenceslas” të Pragës kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe ngritën pankarta që i quanin ministrat “diletantë”.

 

 

“Qeveria që kemi është më e keqja në historinë e Republikës Çeke dhe nuk jam e vetmja që mendoj kështu,” deklaroi protestuesja Eva Frantova për agjencinë e lajmeve AFP.

 

 

Ajo kritikoi kabinetin e kryeministrit Petr Fiala për çmimet e larta të energjisë dhe e akuzoi atë se i kushton më shumë vëmendje Ukrainës sesa popullit të tij.

 

Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare që kur Rusia nisi agresionin e saj ushtarak në shkurt.

 

 

Frantova tha gjithashtu se kishte “çensurë në rritje”, duke vënë në dukje vendimin e qeverisë për të mbyllur disa faqe interneti pro-Moskës pas fillimit të luftës.

 

 

Vendi me 10.5 milionë banorë po lufton me inflacionin në rritje, i cili arriti në 18 për qind në shtator.

 

 

Rritjet e çmimeve, që ka prekur mbarë Evropën, është nxitur nga një rritje në koston e energjisë, e shkaktuar kryesisht nga Rusia që kufizon furnizimin me gaz në Evropë në përgjigje të sanksioneve ekonomike të BE-së.

 

 

Protesta e së premtes pason një demonstratë anti-qeveritare në shtator të thirrur nga i njëjti grup. Ajo protestë grumbulloi rreth 70.000 njerëz në sheshin Wenceslas.

 

 

Çekosllovakia u nda në Republikën Çeke dhe Sllovakinë në mënyrë paqësore në vitin 1993, katër vjet pas revolucionit që i dha fund katër dekadave të sundimit njëpartiak nga regjimi komunist aleat i Moskës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re