Djali në foton që shoqëron këtë shkrim është Brunildo Tola 20 vjeç. Por, historia e tij është e dhimbshme dhe tashmë kërkon ndihmë nga të gjithë. Bruno ka mbërritur në Paris më 12 mars me premtimin e pambajtur të një shoku për t’i gjetur punë e strehim.

Djaloshi jo vetëm që mbeti rrugëve, por ka lënë në Tiranë vëllain 16-vjeçar dhe motrën 8 vjeç. Prindërit nuk i jetojnë. Që nga 12 marsi, rreth 70 netë pra, Bruno fle jashtë. Ushqehet, lahet e vishet falë ndihmës së ndonjë shoqate bamirësie në Paris.

Për arsye të izolimit të Francës për shkak të Covit 19, që prej 16 marsit, Bruno jo vetëm që nuk ka mundësi për të gjetur punë, por as mund të kthehet dot në Shqipëri. Prej tri javësh, pa mundur t’ia dalë dot, ai nuk rresht përpjekjet për t’u kthyer në Shqipëri.

Jo vetëm që Bruno nuk ka të ardhura për të prerë një biletë për t’u kthyer në Shqipëri, por edhe se fluturimet Paris -Tiranë janë ende shumë të pakta. Udhëtimi i parë që ofron Air Albania është më 5 qershor dhe nuk ka më asnjë vend të lirë.

Dhe për këtë shumë shqiptarë janë bërë bashkë dhe kërkojnë nëse mundet dikush t’i sigurojë Brunos një vend në fluturimin Paris – Tiranë më datë 5 qershor dhe kontributin e të gjithëve për t’i prerë blere biletën Brunos, kostoja për të cilën ende nuk dihet.

Por, dy vajza shqiptare Odeta dhe Fiori që e kanë takuar Brunon e vetmuar në Paris bëjnë thirrje, nëse mundet dikush ta strehojë diku atë deri në momentin që ai të ketë mundësi kthimi në Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re