Armëbërësit amerikanë kanë fituar më shumë se 1 miliard dollarë nga shitja e armëve gjysmë automatike AR-15 ose armëve të ngjashme gjatë dekadës së fundit, tha një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa ligjvënësit sulmuan prodhuesit pas një serie të shtënash massive me pasoja tragjike në jetë njerëzish.

“Industria e armëve ka përmbytur lagjet tona, shkollat ​​tona, madje edhe kishat dhe sinagogat tona me këto armë vdekjeprurëse dhe është pasuruar duke e bërë këtë,” tha deputetja demokrate Carolyn Maloney.

“Edhe pse armët po vrasin më shumë amerikanë se kurrë, asnjë nga këto kompani nuk po ndërmerr as hapa bazë për të gjurmuar vdekjet dhe lëndimet e shkaktuara nga produktet e tyre”, tha ligjvënësi i New York-ut.

Marty Daniel, shefi ekzekutiv i Daniel Defense – prodhuesi i armës së përdorur nga personi i armatosur që vrau 19 nxënës shkollash dhe dy mësues në Uvalde, Teksas – mbrojti operacionet e kompanisë së tij.

“Qëllimi i nënkuptuar i deklaruar i kësaj seance është të denigrojë, fajësojë dhe të tentojë të ndalojë më shumë se 24 milionë pushkë sportive tashmë në qarkullim që miliona amerikanë zotërojnë ligjërisht dhe i përdorin në mënyrë rutinore për të mbrojtur shtëpitë dhe të dashurit e tyre”, tha Daniel.

“Unë besoj se përgjigja e kombit tonë nuk duhet të fokusohet në llojin e armëve, por në llojet e individëve që ka të ngjarë të kryejnë të shtëna masive,” tha ai.

Christopher Killoy, president dhe CEO i Sturm, Ruger & Co, tha se do të ishte “e gabuar t’i privosh qytetarët nga e drejta e tyre kushtetuese për të blerë armë zjarri në mënyrë të ligjshme”.

Përfaqësuesit republikanë në komision kundërshtuan propozimet e kolegëve të tyre demokratë.

“Prodhuesit e armëve nuk shkaktojnë krime të dhunshme,” tha Përfaqësuesi James Comer i Kentakit. “Kriminelët shkaktojnë krime të dhunshme”.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e të gjithë pronarëve të armëve që i binden ligjit, të cilët përdorin, ruajnë dhe mbajnë në mënyrë të sigurtë armë zjarri, duke përfshirë AR-15,” tha Comer.

Një ligjvënës republikan tha se ndalimi do të ishte “si ndalimi i përdorimit të takëmeve sepse ka gjithnjë e më shumë njerëz obezë në Amerikë”.

Propozim për një ligj për ndalimin e armëve sulmuese

Sipas një raporti nga Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Reformës së Dhomës së Përfaqësuesve, pesë prodhues të mëdhenj të armëve kanë fituar më shumë se 1 miliard dollarë nga shitjet e pushkëve të sulmit gjatë dekadës së fundit.

Të ardhurat e Daniel Defense nga pushkët e stilit AR-15 u trefishuan nga 40 milion dollarë në 2019 në më shumë se 120 milion dollarë në 2021. Të ardhurat e Ruger nga pushkët e stilit AR-15 u rritën nga 39 milion dollarë në 103 milion dollarë gjatë periudhës, ndërsa të ardhurat e Smith & Wesson nga armët e gjata, duke përfshirë pushkët e stilit AR-15, u dyfishuan nga 108 milion dollarë në 253 milion dollarë.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, po ofron, për herë të parë në gati 20 vjet, një projekt-ligj që do të ndalonte shitjen, importin, prodhimin ose transferimin e disa llojeve të armëve gjysmë automatike. Megjithatë, një ndalim i armëve sulmuese ka të ngjarë të dështojë në Senat. Demokratët mbajnë 50 vende në Senatin prej 100 anëtarësh dhe do të nevojiten 10 vota republikane për të kaluar masën.

Në vitin 1994, Kongresi miratoi një ndalim dhjetëvjeçar për pushkët e sulmit. Por ligjvënësit lejuan që ndalimi, nën Presidentin Bush, të skadonte në vitin 2004 dhe shitjet e këtyre armëve janë rritur që atëherë.

Pas masakrës së Uvalde, presidenti Joe Biden u bëri thirrje ligjvënësve që të rindalojnë pushkët e sulmit ose të paktën të rrisin moshën minimale për t’i blerë ato nga 18 në 21 vjeç. Por ligjvënësit republikanë, të cilët e konsiderojnë një kufizim të tillë kundër të drejtës kushtetuese për të mbajtur armë, refuzuan të pranojnë propozimin e Biden.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re