Një sulm me raketa u krye dje në fushën e naftës Al-Omar të kontrolluar nga SHBA-ja nga rrethi Mayadin në provincën Deir-ez-Zor të Sirisë, i cili është nën kontrollin e regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve të milicisë të mbështetura nga Irani.

Al-Omar, fusha më e madhe e naftës në Siri, ku janë të pranishëm trupat e SHBA-së dhe grupi terrorist YPG/PKK, u sulmua me raketa Grad, sipas burimeve lokale.

Të paktën pesë raketa u lëshuan nga rrethi Mayadin, ku numri i grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani po rritet, kurse disa prej tyre ranë afër bazës ushtarake pranë fushës së naftës ku ndodhen forcat e SHBA-së.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve e regjimit sirian SANA raportoi gjithashtu për sulmet me raketa në fushën e naftës.

Mbrëmë, SHBA-ja kreu një sulm ajror ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në rrethin Al-Bukamal të Sirisë në kufi me Irakun.

Disa pjesë të Deir ez-Zorit në lindje të lumit Eufrat janë nën okupimin e organizatës terroriste YPG/PKK të mbështetura nga SHBA-ja, ndërsa qendra e qytetit, lindja dhe perëndimi i Deir-ez-Zor-it janë nën kontrollin e regjimit të Asadit dhe grupeve të mbështetura nga Irani.

Grupi terrorist YPG/PKK pushtoi fushën më të madhe të naftës në Siri, Al-Omar, më 22 tetor 2017.

Duke vazhduar mbështetjen e tyre për grupin terrorist, forcat amerikane aktualisht kanë një prani në më shumë se dhjetë baza dhe pika ushtarake në rajonet e okupuara nga YPG/PKK në provincat Hasakah, Raqqah dhe Deir-ez-Zor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re